Ekonomi

Inaugurohet linja direkte Tiranë-Toronto, përmes Airtransat

Kryeministri Edi Rama ishte sot në Rinas në ceremoninë inauguruese të fluturimit të parë direkt Tiranë-Toronto, një tjetër urë lidhëse mes Shqipërisë dhe Kanadasë, që afron më shumë qytetarët, bizneset dhe komunitetin shqiptar përtej Atlantikut.

A24News
A24News
June 19, 2026 · 1 min read
Inaugurohet linja direkte Tiranë-Toronto, përmes Airtransat

Gjatë fjalës së tij, Rama deklaroi se për herë të parë Shqipëria bëhet pjesë e hartës së fluturimeve transoqeanike, diçka që deri dje do të dukej si një fantazi e shfrenuar, ndërsa sot është kthyer në realitet falë uljes në Aeroportin e Rinasit të avionit të parë që mbërriti nga Kanadaja, konkretisht nga Toronto.

Kryeministri theksoi se fluturimi ishte plot, ndërsa iu drejtua përfaqësuesve të kompanisë ajrore duke u shprehur se shqiptarët janë të parët në dy gjëra, në dërgimin e mesazheve në telefon dhe në udhëtimet me avion.

“Pa diskutim që linja juaj do të jetë shumë e suksesshme. Megjithatë, për ne kjo është tashmë një arritje e realizuar dhe i përket së kaluarës, edhe pse e kaluara është vetëm kjo paradite”, u shpreh Rama.

Ai nënvizoi se objektivi strategjik i radhës është hapja e një linje direkte me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Edhe në raport me këtë objektiv është bërë një përparim i konsiderueshëm dhe mund të them se jemi shumë më afër finalizimit sesa mund ta imagjinonim vetëm pak vite më parë”, deklaroi Kryeministri.

Sipas ministrit të Infrastrukturë dhe Energjisë, Enea Karakaçi, kjo arritje është rezultat i një bashkëpunimi të ngushtë ndërmjet institucioneve shqiptare dhe kanadeze, i mbështetur nga një punë intensive diplomatike dhe teknike.

“Ky sukses nuk është rezultat i rastësisë. Ai është produkt i një bashkëpunimi të ngushtë, i një pune intensive dhe i besimit se industria e aviacionit mund të sjellë zhvillim dhe mundësi të reja për Shqipërinë”, tha Karakaçi.

Advertisement

Ad space (horizontal)

Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë theksoi se ky bashkëpunim ka dëshmuar se, kur ekziston vullneti dhe koordinimi institucional, pengesat burokratike mund të tejkalohen në funksion të interesit të qytetarëve.

Ai nënvizoi se linja e re ka një rëndësi të veçantë për komunitetin shqiptar në Kanada, i cili ka ruajtur lidhje të forta me vendin e origjinës.

“Ky fluturim ka interes të veçantë për mijëra qytetarë shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në Kanada. Ata përbëjnë një komunitet të respektuar që ka ruajtur lidhjet e forta me Shqipërinë”, tha ai.

Karakaçi shtoi se ndikimi i kësaj linje shkon përtej diasporës, duke hapur një treg të ri për turizmin shqiptar dhe duke krijuar mundësi të reja për investime, biznes dhe shkëmbime ekonomike.

“Linja sjell vizitorë nga një prej vendeve më të zhvilluara të botës dhe krijon mundësi të reja për biznesin, investimet dhe shkëmbimet ekonomike”, deklaroi ai.

Duke folur për zhvillimin e sektorit të aviacionit, Karakaçi bëri të ditur se numri i pasagjerëve në Shqipëri është trefishuar krahasuar me periudhën para pandemisë, ndërsa vendi po bëhet gjithnjë e më i aksesueshëm për qytetarët dhe vizitorët nga e gjithë bota.

A24News
A24News

The A24News editorial desk.

Comments (0)

  • Be the first to comment.

Related Stories