“Rama, jep dorëheqjen!” ishte thirrja që për të 13-ën ditë radhazi kumbon në Tiranë çdo pasdite, teksa mijëra qytetarë marshojnë nga sheshi “Skënderbej” drejt Kryeministrisë.
Ajo që nisi si një lëvizje qytetare kundër projekteve turistike në zonën e mbrojtur të Zvërnecit, me kalimin e ditëve është shndërruar në një protestë më të gjerë kundër korrupsionit, mungesës së transparencës dhe mënyrës së qeverisjes së vendit.
“Kemi dëgjuar parullën ‘Shqipëri e Re’. Rinia jemi ne që do ta bëjmë këtë Shqipëri të re. Si student, bashkë me çdo student tjetër këtu, ëndërrojmë një Shqipëri ku secili merr atë që i takon prej asaj që bën dhe jo prej atij që njeh”, u shpreh një student përmes megafonit.
Për aktorin Florjan Binaj, kushdo që ka përfituar nga detyrat publike në mënyrë të paligjshme duhet të përballet me drejtësinë.
“Që nga ’90-a deri më sot, kush ka vjedhur edhe 100 lekë duhet të shkojë në burg. Kushdo që ka shkelur ligjin duhet të shkojë në burg”, deklaroi Binaj.
Një tjetër qytetar tha se ajo që i ka bërë bashkë protestuesit është përballja me padrejtësinë.
“Mes nesh ka qytetarë me bindje të ndryshme politike e besime të ndryshme fetare, por na bashkon bindja se e përbashkëta nuk duhet lënë në mëshirën e arbitraritetit, padrejtësisë dhe dhunës”, deklaroi ai.
Në shesh u dëgjuan sërish thirrjet “Shqipëria nuk është në shitje”, “Rama dorëheqje” dhe “Rama në burg, Berisha në burg”, slogane që janë bërë pjesë e pandashme e protestave të ditëve të fundit.
Si çdo mbrëmje, pas fjalimeve të mbajtura në shesh nga qytetarë të ndryshëm, protestuesit nisën marshimin në rrugët e Tiranës. Çdo ditë marshimi përshkon itinerare të ndryshme në qytet, mes thirrjeve për dorëheqjen e qeverisë dhe ftesave që qytetarë të tjerë t’i bashkohen protestës.
Rama nga 35-vjetori i PS: “Protesta nisi me një zemërim të drejtë, por me një kërkesë të padrejtë”
Ndërsa për të 13-ën mbrëmje radhazi qytetarët protestonin para Kryeministrisë, kryeministri Edi Rama iu përgjigj drejtpërdrejt protestës nga mitingu i organizuar në sheshin “Italia”, me rastin e 35-vjetorit të Partisë Socialiste.
Në një fjalim të gjatë, Rama i kushtoi një pjesë të konsiderueshme protestës së qytetarëve, duke argumentuar se lëvizja kishte nisur nga një shqetësim legjitim, por ishte transformuar më pas në një protestë politike.
“Protesta nisi me zemërimin e drejtë për një akt dhune dhe me kërkesën e padrejtë për anulimin e një investimi madhor që do të ndikojë ndjeshëm parametrat ekonomikë dhe socialë të Shqipërisë”, deklaroi Rama.
Kryeministri mbrojti projektin e investimit, duke e cilësuar atë si mundësinë më të madhe ekonomike që i është ofruar vendit. Sipas tij, investimi do të sillte të paktën 4 miliardë euro në ekonominë shqiptare dhe do të përbënte një zhvillim strategjik për turizmin elitar.
Rama u përpoq gjithashtu të adresonte shqetësimet e protestuesve për mjedisin dhe biodiversitetin, duke i ftuar ata të njihen me dokumentacionin dhe proceset institucionale që, sipas tij, garantojnë mbrojtjen e zonës.
“Ejani t’i dëgjoni, ejani t’i shikoni dhe ejani t’i verifikoni vetë faktet”, tha ai, duke shtuar se “nuk ka asnjë status investitori strategjik” të dhënë për projektin dhe se “ishulli nuk shitet dhe nuk jepet me qira”.
Në fjalimin e tij, Rama argumentoi se qeveria socialiste ka qenë përgjatë viteve promotore e mbrojtjes së mjedisit, duke përmendur moratoriumin e pyjeve dhe të gjuetisë, zgjerimin e zonave të mbrojtura dhe shpalljen e Vjosës Park Kombëtar.




