Duke iu referuar rezultateve të Anketës së Buxhetit të Hapur 2025, Rama theksoi se Shqipëria renditet e para në Ballkanin Perëndimor për transparencën buxhetore, duke e cilësuar këtë si rezultat të reformave, digjitalizimit dhe forcimit të mekanizmave të llogaridhënies gjatë dekadës së fundit.
“Dhe pika e fundit për sot, shënimi i fundit, është një tjetër vlerësim për Shqipërinë si vendi lider në Ballkanin Perëndimor. Për çfarë? Për transparencën buxhetore.
Një vlerësim ndërkombëtar domethënës: Anketa e Buxhetit të Hapur 2025, e realizuar nga një partneritet ndërkombëtar për buxhetin, që e rendit Shqipërinë të parën në Ballkanin Perëndimor për transparencën buxhetore.
Një rezultat i rëndësishëm që mat një nga elementët themelorë të mirëqeverisjes: sa i hapur është shteti ndaj qytetarëve në mënyrën se si mbledh, administron dhe shpenzon fondet publike.
Nga 38 pikë në vitin 2015, Shqipëria është 64 pikë në vitin 2025, pra thuajse dyfishin. Shqipëria ka shënuar progresin më të madh historik në këtë tregues, krahasuar me vendet e tjera.




