Tajani i cilësoi komentet e Trumpit "serioze dhe fyese", jo vetëm ndaj Melonit, por edhe ndaj gjithë Italisë. Ai anuloi udhëtimin në SHBA, ku ishte planifikuar të merrte pjesë në një forum ekonomik Itali-SHBA në Miami dhe të takohej me Sekretarin amerikan të Shtetit, Marco Rubio.
Nga ana e saj, Giorgia Meloni reagoi përmes një videoje, duke i quajtur deklaratat e Trumpit "plotësisht të sajuara".
"Donald Trump ka bërë deklarata krejtësisht të pavërteta. Jam sinqerisht e habitur. Nuk e kuptoj pse presidenti i Shteteve të Bashkuara sillet në këtë mënyrë me aleatët e tij," tha Meloni.
Ajo theksoi se nuk ishte hera e parë që Trump sulmonte publikisht Italinë dhe shtoi: "Është për të ardhur keq që ai nuk tregon të njëjtën vendosmëri ndaj armiqve të Perëndimit dhe të Shteteve të Bashkuara. Por një gjë duhet ta mbajë mend: Italia dhe unë nuk lutemi."
Sipas televizionit italian La7, Trump kishte deklaruar se Meloni i kishte kërkuar me ngulm një foto gjatë samitit të G7 në Francë dhe se ai kishte pranuar vetëm nga keqardhja. Megjithatë, transmetuesi publikoi vetëm një version të dubluar të intervistës, pa audion origjinale në anglisht.




