Masat do të hyjnë në fuqi nga 19 qershori deri më 15 shtator, gjatë fundjavave dhe festave zyrtare. Kufizimet prekin mjetet e transportit të mallrave me masë totale maksimale të autorizuar mbi 7.5 tonë, si dhe kategori të tjera të përcaktuara në udhëzim.
Ato do të zbatohen në autostrada, rrugë interurbane dhe urbane, kryesisht në segmentet që lidhin zonat turistike dhe bregdetare.
Sipas planit, kufizimet e qarkullimit do të zbatohen:
-në ditën e premte nga ora 15:00 deri në orën 24:00;
-në ditën e shtunë, nga ora 07:00 deri në orën 24:00;
-në ditën e diel, nga ora 07:00 deri në orën 24:00
Përjashtim nga këto kufizime bëjnë mjetet e emergjencës, ato të Policisë së Shtetit dhe institucioneve të tjera shtetërore, si dhe mjetet që transportojnë mallra të domosdoshme, përfshirë produkte ushqimore që prishen.
NJOFTIMI I PLOTE I POLICISE:
Policia e Shtetit/Sezoni veror, 15 qershor – 15 shtator, kufizohet qarkullimi për mjetet e rënda
Njoftojmë qytetarët dhe subjektet e transportit rrugor të mallrave se, në zbatim të udhëzimit të përbashkët nr. 106, datë 14.06.2024, të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme, gjatë sezonit veror 2026 dhe gjatë ditëve të festave zyrtare, do të zbatohen kufizime të posaçme për qarkullimin e mjeteve të rënda, me qëllim garantimin e sigurisë rrugore dhe përmirësimin e rrjedhshmërisë së trafikut në akset me fluks të shtuar lëvizjeje.
Këto kufizime zbatohen për mjetet e transportit të mallrave me masë totale maksimale të autorizuar mbi 7.5 tonë, si dhe për kategori të tjera të përcaktuara në udhëzim, në autostrada, si dhe në rrugë interurbane dhe urbane (kryesisht në segmentet që përshkojnë zonat turistike).




