Teksa çmimet e qirave vijojnë të rriten, të ardhurat mujore nuk po ndjekin të njëjtin ritëm, duke e kthyer koston e strehimit me qira afatgjatë, përtej kufijve të përballueshmërisë së rekomanduar nga koeficienti ndërkombëtar, por edhe një nga sfidat më të mëdha financiare për individët dhe familjet.
Ekspertja e tregut të pasurive të paluajtshme, njëkohësisht dhe menaxhere ekzekutive e agjencisë “Colliers International Albania” Stela Dhami thotë se shpenzimet mujore për qiranë konsiderohen të përballueshme nëse zënë jo më shumë se 30% të të ardhurave mujore të një familje.
Sipas koeficientit ndërkombëtar që përdoret për vlerësimin e përballueshmërisë së strehimit, qiraja konsiderohet e përballueshme kur nuk kalon 30% të ardhurave mujore bruto të familjes ose individit. Kur qiraja kalon mbi 30% të të ardhurave mujore, ajo konsiderohet e papërballueshme dhe sinjalizon stres financiar te një familje për strehimin. Nëse arrin mbi 50%, kjo gjendje quhet “housing cost burden” ekstrem, që rrit rrezikun e pasigurisë në strehim.
Paga mesatare mujore bruto në Shqipëri arriti 90,119 lekë apo rreth 930 euro, për 3-mujorin e parë të vitit 2026 sipas INSTAT. Qiraja mesatare mujore arriti 721 euro e llogaritur për Monitor, nga agjencia imobiliare CPM (qiraja mesatare është llogaritur nga transaksionet për 2026).
Nga llogaritjet, sipas formulës së koeficientit ndërkombëtar, një individ duhet të shpenzojë 77% të ardhurave të tij bruto apo 720 euro për të paguar shpenzimet e qirasë.
Nëse merret parasysh paga mesatare neto prej rreth 72 mijë lekësh (740 euro), shpenzimet për qiranë arrijnë rreth 97% të të ardhurave mujore neto, duke e bërë strehimin praktikisht të papërballueshëm për një individ mesatar.
Në të dyja rastet, treguesit qëndrojnë ndjeshëm mbi pragun prej 30% që konsiderohet kufiri i përballueshmërisë së kostove të banimit.
Kostoja e strehimit mbetet problematike edhe për familjet me më shumë se një të punësuar. Një familje me 3 anëtarë (2 të rritur dhe 1 fëmijë), me të ardhura mesatare bruto prej rreth 182,200 lekësh, nëse paguan një qira prej 721 eurosh në muaj, shpenzon rreth 39% të të ardhurave për strehim. E llogaritur me të ardhurat neto, kjo përqindje arrin rreth 49%.
Përveç kostove të larta të strehimit, edhe shpenzimet për ushqime vijojnë të zënë peshën më të madhe të buxhetit familjar. Në Shqipëri, ato përbëjnë rreth 40% të shpenzimeve mujore, ndjeshëm mbi mesataren e Bashkimit Europian prej rreth 13% dhe atë të rajonit, nën 35%.
Në 2024 sipas të dhënave të INSTAT mbi buxhetin e familjeve, familjet shqiptare shpenzuan mesatarisht 93 mijë lekë në muaj për konsum, një rritje prej 1,5% krahasuar me vitin 2023. Edhe pse shpenzimet totale janë rritur, struktura e buxhetit të familjeve ka mbetur pothuajse e pandryshuar, me ushqimin që vijon të zërë peshën më të madhe.




