Sipas Administratës Tatimore, rasti është identifikuar në kuadër të kontrolleve dhe verifikimeve intensive që po zhvillohen ndaj agjencive imobiliare, si pjesë e aksionit kombëtar për formalizimin e këtij sektori.
Hetimet janë përqendruar te krahasimi i aktivitetit real ekonomik me deklarimet e paraqitura pranë Administratës Tatimore, pas përfundimit të afatit të vetëdeklarimeve për vitin fiskal 2025.
Nga verifikimet e kryera deri më tani, sipas Tatimeve, një rrjet agjencish imobiliare që operon në formën e franshizës, me mbi 25 zyra në Tiranë, Durrës, Vlorë, Korçë dhe Sarandë, dyshohet se ka shmangur detyrime të konsiderueshme tatimore.
Dyshimet lidhen me mosdeklarimin e komisioneve dhe mospasqyrimin e plotë të transaksioneve të realizuara nga shitblerja e pronave. Nga analiza e të dhënave të administruara në databazën qendrore të shitjeve, e cila përfshin aktivitetin e të gjitha zyrave të këtij rrjeti, është evidentuar mosdeklarimi i të ardhurave nga komisionet e shitblerjes së pronave në vlerën rreth 3.4 milionë euro.




